Juventusi po përgatitet të nisë rrugëtimin e tij në Europa League dhe në prag të javës së parë Gleison Bremer i ka rrëfyer kanaleve zyrtare të UEFA mënyrën e tij të të jetuarit futbollin. Mbrojtësi brazilian, pikë referimi i mbrojtjes së bardhezinjve, ka folur për ambiciet e skuadrës dhe dëshirën për t'u futur në historinë e klubit. Bremer ka rikthyer edhe marrëdhënien e tij me leximin dhe muzikën, dy pasione që u bënë veçanërisht të rëndësishme gjatë nëntë muajve larg fushës për shkak të dëmtimit në gju. Ndër referencat e brazilianit janë Aristoteli dhe Sun Tzu, ndërsa gitara u bë një mënyrë për t'u shkëputur nga futbolli dhe për të përballuar me më shumë qetësi atë periudhë. DUA TË LË SHENJËN TIME Juventusi ka një traditë të gjatë mbrojtësish të mëdhenj. Një trashëgimi që Bremer e ndjen, por nuk dëshiron t'i shmanget: "Shumë mbrojtës kanë bërë historinë këtu, duke lënë gjurmë edhe në nivel brezi. Mendoj kryesisht për një lojtar si Gaetano Scirea, i cili ka qenë një mbrojtës legjendar për këtë klub dhe edhe për kombëtaren. Natyrisht, për mua do të ishte vërtet e vështirë t'i krahasoj me ta, sepse presioni është i jashtëzakonshëm. Por shpresoj të arrij të lë gjurmën time. Është e pamundur të bëhen krahasime, por dua të lë gjurmën time dhe gjithmonë do të jap gjithçka në fushë, në mënyrë që të më mbajnë mend në historinë e Juventusit. AGRESIVITET, FUQI DHE SHPEJTËSI Bremer më pas përshkroi tiparet që e dallojnë mënyrën e tij të lojës, duke theksuar gjithashtu punën që po bën për të vazhduar të përmirësohet: "Jam një mbrojtës shumë agresiv. Shfrytëzoj fuqinë time fizike, që është një nga cilësitë e mia, ashtu si edhe shpejtësinë. Jam gjithashtu i aftë në duelet ajrore, gjithmonë përpiqem të luaj në mënyrë që të dallohem,këto janë disa nga karakteristikat e mia kryesore, por kam edhe të tjera mbi të cilat po punoj shumë me trajnerin tonë, Luciano Spalletti, dhe në të cilat mund të përmirësohem edhe më tej." SPALLETTI NA KA DHËNË NJË DREJTIM Një koment edhe për marrëdhënien me Spallettin dhe për rrugëtimin e nisur nga Juventusi nën drejtimin e trajnerit: "Na ka dhënë një drejtim, na ka bërë të nisim një rrugëtim. Jemi rritur shumë me të, ai është një trajner me nivel shumë të lartë, një kampion, dhe na ndihmon ditë pas dite për të arritur objektivat tona". NGA EUROPA LEAGUE ME TORINON NË GJYSËMFINALEN ME JUVENTUSIN Për Bremerin nuk do të jetë përvoja e parë në Europa League. Braziliani e ka luajtur tashmë këtë kompeticion me Torinon në sezonin 2019/20 dhe më pas me Juventusin, duke arritur deri në gjysmëfinale në 2022/23 kundër Seviljes: "Po, kam luajtur në këtë kompeticion me Torinon, tashmë disa vjet më parë. Është një turne vërtet i vështirë. Ne u përballëm me Wolverhamptonin në ndeshjet kualifikuese; ishte një skuadër e madhe, që sapo ishte ngjitur në Premier League, dhe fatkeqësisht u eleminam. Ndërsa me Juventusin, arritëm në gjysmëfinale, fatkeqësisht nuk arritëm të shkonim në finale dhe të kishim mundësinë të ngrinim trofeun". DUAM TË ARRIMË SA MË LARG TË MUNDEMI Qëllimi për aventurën e re evropiane është i qartë.Juventusi dëshiron të shkojë deri në fund: "Europa League është një kompeticion i madh, shumë prestigjioz. Duam të arrijmë sa më larg të mundemi. Dhe nëse arrijmë të shkojmë deri në fund, kush e di, ndoshta mund ta fitojmë." ARISTOTELI, SUN TZU DHE FILOZOFIA Futbolli, megjithatë, nuk është elementi i vetëm në jetën e Bremerit. Mbrojtësi ka rrëfyer sa e rëndësishme është bërë leximi, veçanërisht gjatë ndalesës së gjatë për shkak të dëmtimit: "Më ka pëlqyer gjithmonë të lexoj, edhe para dëmtimit dhe operacionit në gju. Pas dëmtimit, megjithatë, leximi më ka dhënë më shumë qetësi dhe më ka ndihmuar të përballem me atë periudhë,arrija të shkëputesha nga futbolli dhe filozofia më ka ngushëlluar shumë. Ka disa citate të Aristotelit që më pëlqejnë veçanërisht, ashtu si edhe 'Arti i Luftës' i Sun Tzu. Ishin leximet që më dhanë qetësi, më ndihmuan të shijoj jetën dhe të kuptoj se jeta nuk bëhet vetëm nga futbolli. Kam familjen, ka shumë gjëra të tjera për t'u menduar. Të gjitha këto më kanë lejuar të përballem më qetësisht me jetën. Ndër frazat që kanë mbetur më shumë në mendjen e mbrojtësit ka një në veçanti, e lidhur pikërisht me filozofinë.Ka një që më pëlqen veçanërisht dhe që thotë : Nuk janë ngjarjet që shqetësojnë njerëzit, por gjykimet që ata formulojnë për to. Është një frazë që më ka prekur shumë dhe që edhe sot më mbetet në mendje. KITARA SI TERAPI - Gjatë nëntë muajve larg futbollit, Bremer gjithashtu filloi të luajë kitarë, duke e kthyer një pasion që kishte qëndruar gjatë në sirtar në një hobi të ri: "Për shkak të dëmtimit qëndrova larg fushës nëntë muaj, që janë shumë! Kështu, për t'u çlodhur, fillova të luaja kitarë. Ishte diçka që e kisha dëshiruar prej kohësh dhe që atëherë është bërë një hobi. Gjithmonë kam dashur të mësoj, por nuk kisha kohë, kështu që shfrytëzova periudhën e paaftësisë për të bërë gjëra të reja. Ishte thuajse një terapi. Më ka lejuar gjithashtu të mbaj mendjen larg futbollit". Dhe, mes futbollit dhe muzikës, Bremer nuk ka dyshime se cila është sfida më e komplikuar: "Të luash kitarë. Është më e vështirë sepse kam mësuar si i rritur. Futboll luaj që kur isha fëmijë, kështu që për mua është diçka natyrale".