Luka Modrić do të jetë ende një nga shtyllat e mesfushës së Milanit. Mesfushori kroat ka vendosur të qëndrojë te kuqezinjtë edhe për një sezon tjetër dhe tani pritet të shihet ndikimi i tij në sistemin e ri të trajnerit Ruben Amorim. Në një intervistë për Sky Sport – Calciomercato, nga grumbullimi i Milanit në Perth të Australisë, ku nesër do të zhvillohet derbi miqësor ndaj Interit, Modrić ka folur për objektivat e tij, rinovimin, trajnerin dhe Rafael Leão-n. Dëshira e Modrić: “Ëndrra ime ka qenë gjithmonë të fitoj me Milanin. Erdha këtu për këtë arsye, jo për t’u argëtuar. Objektivi im është t’i sjell Milanit një trofe, qoftë titullin kampion apo një tjetër objektiv. Jam këtu për këtë dhe ka qenë gjithmonë ëndrra ime. Nuk kam pasur kurrë dyshime për rinovimin. Mund ta kisha bërë edhe në dhjetor, por preferova të prisja dhe të shihja përgjigjet e trupit tim, të kuptoja nëse kisha ende atë dëshirë dhe pasion për futbollin.” Dashuria për Milanin: “Kur ndjeva gjithë dashurinë e tifozëve dhe dëshirën e Milanit për të më mbajtur, nuk pata asnjë dyshim. Edhe që në fillim isha i sigurt se do të qëndroja këtu edhe një vit tjetër.” Për merkaton dhe skuadrën: “Kanë mbetur shumë lojtarë nga sezoni i kaluar dhe kjo është pozitive. Më pas kanë ardhur përforcime të reja dhe besoj se do të sjellin shumë cilësi te skuadra jonë. Të gjithë do të jenë të rëndësishëm për të mirën e klubit.” Marrëdhënia me Amorim: “Kam folur disa herë me trajnerin gjatë verës. Kam ndjesi të mira, i kam pasur gjithmonë dhe besoj se do të punojmë mirë së bashku.” Për Rafael Leão: “Rafa është mjaftueshëm i pjekur për të kuptuar se çfarë është më e mira për të. Ne e duam dhe e dimë sa i rëndësishëm mund të jetë për ne. Kur është në formë, ai është një nga lojtarët më të mirë në botë. Ndoshta sezonin e kaluar nuk pati shumë fat edhe për shkak të dëmtimeve, por shpresoj që të qëndrojë këtu dhe të na ndihmojë të bëjmë një sezon të madh.” Statistikat e Modrić me fanellën e Milanit: Një nga liderët e skuadrës së sezonit të kaluar. Modrić ishte një shembull dhe një udhëheqës për të gjithë, me shifrat që tregojnë klasën e tij: 37 paraqitje zyrtare, 2 gola dhe 3 asistime në moshën 40-vjeçare. Maestro.