Përpjekja e Milanit dhe Interit për të përfunduar projektin në kohë për Euro 2032. Dhe në tetor do të zbulohet fasada Interi dhe Milani kanë depozituar në Bashki "raportin ekonomik të fizibilitetit" për impiantin e ri që do të ngrihet në kryeqytetin lombard. Stadiumi i ri, kur të përfundojë në vitin 2032, do të vlejë shifrën e jashtëzakonshme prej 2 miliardë e 149 milionë eurosh. Të dyja skuadrat parashikojnë se në treg do të sjellin 418 milionë falë arenës sportive, por edhe zyrave, hoteleve dhe hapësirave tregtare. Operacioni i madh imobiliar pritet t'u garantojë klubeve një fitim kapital prej 265 milionësh. Shifra që do t'u mundësojë dy shoqërive të afrohen me Premier League dhe Bundesligën sa i përket të ardhurave. Ose të paktën të zvogëlojnë hendekun e madh që është krijuar gjatë 20 viteve të fundit. BESIM PAVARËSISHT BURUKRACISË Muajt e fundit kanë sjellë një përshpejtim të rëndësishëm burokratik për projektin e San Siros së ri, të udhëhequr nga kompania e përbashkët Stadio San Siro S.p.A., e krijuar nga Interi dhe Milani. Në fund të gushtit, klubet depozituan në Palazzo Marino planin përfundimtar ekonomik për të gjithë "kompleksin e pasurive të paluajtshme". Pronësia e kompleksit nuk do të jetë më e Bashkisë. Shuma e vlerësuar nga Agjencia e të Ardhurave për blerjen e zonës nga ana e skuadrave është 175 milionë euro. Milan dhe Inter vazhdojnë, me besim, me punën tekniko-burokratike që përgatit terrenin për impiantin e ri futuristik në qytet. QËLLIMI: EURO 2032 Fillimi i punimeve parashikohet në vitin 2027 dhe përfundimi në vitin 2031, me inaugurimin e synuar për Kampionatin Europian të vitit 2032. Megjithatë, në gjendjen aktuale, nuk ka siguri që në garën për Kampionatin Europian të përfshihet edhe San Siro i ri që duhet të ndërtohet ndërkohë. E vetmja rrugë që mbetet është të ecet përpara me planin, duke ndjekur të gjitha fazat si ligje të pashkruara. Është e qartë se ekzistojnë variante të pakontrollueshme, kurthe të parashikueshme për t'u shmangur, përveç shiut të ankimimeve që pritet të bien mbi projektin. PREZANTIM PARAPRAK NË TETOR Inter dhe Milan janë gati të prezantojnë shtyllat kryesore të projektit, duke filluar të largojnë mjegullën e misterit për të krijuar një ndërgjegjësim për atë që do të jetë një kthesë historike: tashmë në tetor është planifikuar një prezantim paraprak i fasadës së San Siros së ri, edhe përpara se të fillojnë punimet përgatitore për kantierin e ardhshëm.