Situata e Rafael Leaos te Milani duket se ka marrë një kthesë të fortë. Pas javësh me lajme kontradiktore rreth së ardhmes së tij, drejtuesit kuqezi tashmë janë të gatshëm të dëgjojnë oferta konkrete për sulmuesin portugez. Në fillim të verës, Milani kërkonte rreth 50-60 milionë euro për kartonin e 27-vjeçarit, por mungesa e interesimit konkret nga klubet e tjera ka bërë që kërkesat të ulen. Tashmë, një ofertë prej rreth 40 milionë eurosh mund të jetë e mjaftueshme për ta larguar Leaon nga Milano. Një faktor vendimtar në këtë situatë është qëndrimi i Ruben Amorim. Trajneri portugez i ka dhënë drejtuesve të klubit një vlerësim të qartë për Leaon dhe, nëse vendimi do të varej vetëm prej tij, sulmuesi do të shitej gjatë kësaj merkatoje. Problemi kryesor nuk lidhet me marrëdhënien personale mes Amorim dhe Leaos, por me përshtatjen taktike. Në sistemin e trajnerit, Leao nuk shihet si një lojtar ideal për rolin pas sulmuesit apo për të operuar në gjysmë-hapësira. Portugezi preferon të nisë aksionet nga krahu dhe të futet drejt qendrës, një profil që nuk përputhet plotësisht me atë që Amorim kërkon nga lojtarët ofensivë. Përveç aspektit taktik, brenda klubit nuk është parë pozitivisht as mënyra se si Leao e ka menaxhuar situatën e tij gjatë verës. Në një moment ai kishte shprehur dëshirën për t’u larguar, ndërsa raportimet e fundit sugjerojnë se tashmë preferon të qëndrojë. Megjithatë, duket se Milani nuk e sheh më situatën në të njëjtën mënyrë. Hendrik Almstadt ka zhvilluar tashmë një takim me përfaqësuesit e lojtarit, ndërsa javën e ardhshme pritet edhe një takim mes Gerry Cardinales dhe Leaos për të sqaruar përfundimisht të ardhmen e tij.