Lajme
Milan
GdS: Supriza Nkunku, Amorim injoron totalisht lojtarët në dalje
Sipas La Gazzetta dello Sport, Milani dhe Ruben Amorim kanë marrë një vendim të fortë për disa lojtarë që nuk konsiderohen më pjesë e projektit. Fikayo Tomori, Youssouf Fofana, David Odogu dhe, surpriza më e madhe, Christopher Nkunku janë lënë jashtë grupit dhe prej ditës së djeshme po stërviten veçmas nga pjesa tjetër e skuadrës.
Emri i Nkunku është ai që bie më shumë në sy. Deri tani francezi nuk ishte konsideruar si një lojtar në dalje dhe, në teori, karakteristikat e tij dukeshin mjaft të përshtatshme për skemën 3-4-2-1 të Amorim. Megjithatë, trajneri portugez nuk duket se është bindur nga lëvizjet dhe paraqitjet e tij, si në ndeshje ashtu edhe në stërvitje.
Milani kërkon rreth 28 milionë euro për shitjen përfundimtare të Nkunku. Nëse nuk gjendet një klub i gatshëm ta blejë për këtë shifër, kuqezinjtë janë të hapur edhe ndaj largimit të tij në formë huazimi.
Largimi i mundshëm i Nkunku mund të bënte të mendohej se Rafael Leao do të qëndrojë automatikisht, por situata nuk është kaq e thjeshtë. Për portugezin ende nuk është marrë një vendim përfundimtar dhe ai vazhdon të jetë mes qëndrimit dhe largimit.
Gerry Cardinale pritet të rikthehet në Milanello javën e ardhshme për të biseduar me disa nga lojtarët kryesorë, mes tyre Mike Maignan, Adrien Rabiot dhe Leao.
Për momentin, Nkunku, Tomori, Fofana dhe Odogu nuk pritet të grumbullohen për ndeshjet e ardhshme. Në listën e lojtarëve që mund të largohen janë gjithashtu Pervis Estupinan, Santiago Gimenez dhe Filippo Terracciano, por ndaj tyre ende nuk është marrë e njëjta masë.
Ndërkohë, Amorim ua ka bërë të qartë drejtuesve se skuadra ka ende nevojë për përforcime, në veçanti për një qendërmbrojtës, një lojtar krahu dhe një mesfushor ofensiv. Koha në merkato po ngushtohet dhe Milani duhet tashmë jo vetëm të blejë, por edhe të gjejë destinacione për lojtarët që trajneri nuk i konsideron pjesë të projektit.
Komente (0)
Hyr për të komentuar.
Asnjë koment ende. Bëhu i pari!