Rafael Leao nuk do të jetë në dispozicion të Milanit për miqësoren ndaj Manchester United që do të luhet të shtunën. Sulmuesi portugez ka pësuar një problem muskulor gjatë stërvitjes dhe nuk do të udhëtojë me skuadrën drejt Polonisë. Leao ishte rikthyer në stërvitje në fillim të gushtit dhe kishte marrë pjesë edhe në miqësoret kundër Interit dhe Chelsea-t. Megjithatë, dëmtimi vjen në një moment aspak të favorshëm, jo vetëm për përgatitjet e sezonit por edhe për situatën e tij në merkato. Sipas Luca Bianchin të Gazzetta dello Sport, për momentin ekziston edhe mundësia që Leao të mos rikuperohet në kohë për ndeshjen e parë të kampionatit kundër Torinos. Gjatë ditës së sotme dhe në ditët në vazhdim pritet të kryhen analiza të tjera për të kuptuar me saktësi shkallën e dëmtimit. Ndërkohë, e ardhmja e portugezit vazhdon të mbetet e paqartë. Galatasaray vazhdon kontaktet me lojtarin, por duket e vështirë që klubi turk të arrijë kërkesën e Milanit prej rreth 50 milionë eurosh. Dëmtimi mund të komplikojë edhe më tej një largim të mundshëm të Leao-s në javët e fundit të merkatos.