Rafael Leao ka reaguar publikisht ndaj raportimeve të fundit që e përshkruajnë atë si një ndikim negativ brenda dhomës së zhveshjes së Milanit. Gjatë ditës së sotme u raportua se Ruben Amorim do të ishte i hapur për largimin e portugezit kryesisht për arsye teknike dhe taktike, por gjithashtu u pretendua se trajneri e konsideron Leaon si një “burim negativiteti” brenda skuadrës. Lajmi u shpërnda më pas nga një faqe e njohur në platformën X, e cila shkruante se Amorim kishte shqetësime për ndikimin e Leaos në ambientin e ekipit. Sulmuesi kuqezi nuk ka qëndruar në heshtje dhe ka reaguar drejtpërdrejt ndaj postimit. “Ndoshta ti je, sepse po gënjen 😂😂😂”, ishte përgjigjja e Leaos. Ky ishte një nga reagimet e rralla të portugezit në X gjatë muajve të fundit dhe tregon qartë se ai nuk është dakord me versionin e publikuar për situatën e tij në dhomën e zhveshjes. Situata rreth Leaos vazhdon të jetë një nga temat më të diskutuara te Milani, veçanërisht pas raportimeve të shumta gjatë kësaj vere për të ardhmen e tij dhe marrëdhënien me Ruben Amorim.