E ardhmja e Christopher Nkunku te Milani është vënë disa herë në dyshim gjatë muajve të fundit, por situata duket se ka ndryshuar. Francezi mund të ketë një rol të rëndësishëm në projektin e Ruben Amorim, falë mbi të gjitha fleksibilitetit të tij në repartin ofensiv. Sulmi kuqezi vazhdon të ketë disa pikëpyetje, duke nisur nga e ardhmja e Rafael Leao. Ndërkohë, edhe pozicioni i Nkunku ka qenë disi i paqartë gjatë kësaj faze të parë të përgatitjeve. Megjithatë, ai nuk është nxjerrë asnjëherë hapur në merkato, pikërisht sepse Amorim beson se karakteristikat e tij mund t’i shërbejnë skuadrës. Francezi vjen nga një sezon ku realizoi tetë gola në total, pesë prej tyre nga pika e bardhë. Edhe gjatë turneut të Milanit në Australi dhe Indonezi dha disa sinjale pozitive. Përballë Interit ishte pikërisht Nkunku që fitoi dhe realizoi penalltinë e golit të vetëm të kuqezinjve në barazim. 3-4-2-1 mund të jetë skema ideale për Nkunku Sistemi i preferuar i Amorim, 3-4-2-1, mund të jetë ai që nxjerr më së miri në pah cilësitë e ish-lojtarit të Chelsea. Nkunku mund të aktivizohet në të majtë, në një nga dy pozicionet pas sulmuesit kryesor. Pikërisht në zona të tilla të fushës ai tregoi versionin më të mirë të vetes gjatë periudhës së tij te RB Leipzig, kur u shndërrua në një nga lojtarët ofensivë më të kërkuar në Europë. Konkurrenca, megjithatë, nuk mungon. Nëse Leao qëndron në Milano, francezit do t’i duhet të luftojë për minuta me portugezin dhe Christian Pulisic. Por forma jo gjithmonë konstante e dy lojtarëve mund t’i krijojë Nkunku hapësirën e nevojshme për të treguar potencialin e tij. Pulisic gjithashtu po rikuperohet nga një dëmtim dhe mund të përdoret në krahun e djathtë nëse Milani nuk përforcohet në atë pozicion. Një tjetër avantazh i Nkunku është aftësia për të mbuluar disa role. Përveç pozicionit pas sulmuesit, ai mund të përdoret edhe si qendërsulmues në raste nevoje. Sezonin e kaluar luajti edhe si sulmues i dytë në skemën 3-5-2 të Massimiliano Allegrit, ndaj Amorim mund ta përdorë sërish më pranë portës. Në një sezon të gjatë, ku Amorim pritet të ndryshojë repartin ofensiv në varësi të kundërshtarit dhe gjendjes fizike të lojtarëve, Nkunku mund të shndërrohet në një nga “xholat” më të vlefshëm të Milanit. Nga një lojtar me të ardhme të pasigurt, francezi tani ka mundësinë të bindë Amorim se meriton një rol të rëndësishëm në Milanin e ri.