Gerry Cardinale pritet nesër në Milanello për një takim me Ruben Amorim dhe drejtuesit e Milanit. Në fokus do të jetë strategjia për javët e fundit të merkatos, me largimet që konsiderohen prioritet. Pronari i Milanit, Gerry Cardinale, do të rikthehet nesër në Milano, ku pritet të zhvillojë një samiti merkatoje në Milanello me trajnerin Ruben Amorim dhe drejtuesit e klubit. Në takim pritet të jenë të pranishëm edhe Hendrik Almstadt, Bobby Gardiner dhe Massimo Calvelli. Qëllimi është të përcaktohet strategjia e klubit për dy javët e fundit të merkatos, deri më 1 shtator. Largimet në plan të parë Prioriteti kryesor i Milanit në këtë fazë është sistemimi i skuadrës përmes shitjeve. Amorim e ka bërë të qartë se grupi aktual duhet të reduktohet, ndërsa largimi i disa lojtarëve mund të krijojë hapësirë edhe për ndërhyrje të reja në merkato. Ndeshjet e fundit miqësore kanë evidentuar disa probleme, veçanërisht sa i përket përshtatjes së disa lojtarëve me skemën dhe idetë taktike të Amorimit. Në listën e lojtarëve që mund të largohen janë Santiago Gimenez, i lidhur me një transferim te Porto, Youssouf Fofana, për të cilin ka interes nga klube angleze dhe spanjolle, si dhe Terracciano, Cissé, Ricci, Musah, Bondo dhe Estupiñán. Më pas, hapësirë për përforcime Strategjia e Milanit është e qartë: fillimisht shitjet, më pas përforcimet. Nëse klubi arrin të largojë disa prej lojtarëve që nuk bëjnë pjesë në planet e Amorimit, do të krijohen hapësira si në organikë ashtu edhe në aspektin financiar për të tentuar goditje të tjera në merkato. Takimi i nesërm mes Cardinale dhe Amorimit pritet të jetë vendimtar për të përcaktuar se cilët lojtarë do të largohen dhe në cilat pozicione Milani mund të ndërhyjë deri në mbylljen e merkatos.